Sonte ngre siparin edicioni i gjashtë i “Big Brother”. Flet autori Rezart Aga.
Sonte në ekranin e “Top Channel” do të nisë edicioni i gjashtë i “Big Brother Albania”. Të gjithë dashamirësit e këtij formati sot do të nisin bashkë me konkurrentët e rinj, rrugëtimin 100 ditësh të një reality show që dihet tashmë se shqiptarët e kanë shumë për zemër. Pjesa më intriguese e këtij edicioni është se ka ndryshime rrënjësore në konceptim. Tani pas pesë edicionesh, duket sikur formula mbi të cilën operonte ai, sikur u dekonspirua nga publiku. Edhe vetë konkurrentët gjatë pesë edicioneve të kaluara duket sikur kanë qenë kopjues shembullorë të paraardhësve të tyre, aq sa gjithçka u bë si matematikë. Kështu, pa kuptuar, në këtë format u instaluan disa rregulla fikse të diktuara nga situatat e mëparshme. Pjesëmarrësit kishin mbajtuar shënime dhe kishin nxjerrë përfundime. Sipas tyre, që të jesh i sukseshëm në “Big Brother” duhet të përdorësh fort intrigën, konfliktin që shkon deri në dhunë, thashethemin, lajkat, lojën me dy porta, por edhe joshjen, pasi kur lidhesh me dikë është avantazh. Por edhe nëse arrin të krijosh një grup, është akoma më mirë. Tashmë që kjo skemë u vjetrua pak, ja ku jemi gati për të lançuar skemën e re, mbase të paaplikuar më parë edhe në shtete të tjera ku shfaqet ky program. Kësaj here stafi që punon për “Big Brother”, na ofron atë për të cilën ka kaq shumë nevojë televizioni, risinë, situatat e paparashikueshme, lojën e ethshme dhe të mistershme. Dhe bëhuni gati, se ata nuk e kanë fjalën vetëm për konkurrentët, por edhe për ne që do ta ndjekim. Në formularin që të rinjtë plotësuan për t’u thirrur më pas në audicione, kishte një shtesë, “shkruani një sekret tuajin”.