Monday, December 31, 2012

Françeska e “BB”: Feston 19-vjetorin dhe puthet në buzë me Ermalin pas ndarjes




Françeska duke u puthur me Ermalin
Ka qenë një festë e bukur dhe shumë e veçantë, ajo e Françeska Jaçes, ish-banore e BB-së, që ka organizuar për ditëlindjen e saj të 19-të në club “Vanilla”, në Tiranë, aty ku ajo punon si menaxhere. Të ftuarit kanë qenë të shumtë, mes të cilëve artistë dhe ish-banorët e “Big Brother” me të cilët Françeska ka shkëmbyer eksperiencën në reality show. Festa që nisi pas orës 23:00, ishte planifikuar me qëllim në këtë orë nga Françeska, për të treguar se tashmë është e rritur dhe mund të festojë pas mesnate, e të dehet me shoqërinë. Në natën e ditëlindjes Françeska u shfaq me flokë kaçurrela, që është një nga modelimet e saj të shpeshta këto kohë. “Është hera e parë që festoj ditëlindjen dhe dua ta shënoj si një ditë të veçantë”, është shprehur ajo. Ndërkohë që u pa që në festë të vinte dhe Ermali, bashkë me dhuratën e tij, e cila mbetet sekret, deri në momentin që ata ta zbulojnë vetë. Ajo që ka bërë përshtypje ishte një puthje në buzë që Ermali dhe Françeska shkëmbyen publikisht, ndërsa nuk e fshehën afeksionin ndaj njëri-tjetrit. Tortën e ditëlindjes e mbajti në dorë Graciano, ndërsa gjatë pirjes së shampanjës mikeshat e saj bënë një urim të veçantë me pak humor, që shkoi si një kunjë dhe ironi ndaj Ermalit: “Edhe 100 dhe mjerë kush të ka pasur të dashur dhe lum kush do të të ketë”. Ndër të ftuarit Ermali ishte ai që u largua i pari nga festa, pasi ai tashmë punon në orët e vona si menaxher i një tjetër club-i. Një javë më parë ata folën për gazetën “Panorama” për një rikthim të mundshëm mes tyre, duke e lënë të hapur opsionin se ndoshta një ditë mund të jenë prapë çift. Le të shohim nëse vërtet do ketë një rikthim te ky çift.

Sunday, December 2, 2012

Rrëfimi i Stresit: Si i përjetova katër javët në burg, mbaj armë për siguri

Rrëfen katër javët e kaluara në burg dhe të vërtetën e pasionit për armët. Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, jep këtë intervistë të parë në gjendje të lirë dhe arsyen pse mbante armë me vetë në natën e festimit të Hallouinit. Ndërkohë që treshja gjykuese e Apelit vendosi pak ditë më parë lirimin e tij pas ndryshimit të masës “arrest me burg” të vendosur në Shkallën e Parë në “detyrim për paraqitje”, Stresi tregon se si i ka përjetuar këto ditë në qeli dhe këndvështrimin e ri për jetën. Ai pohon se është i vetmi reper me histori të vërteta rruge në Shqipëri, dhe se pavarësisht këtyre ndodhive, femrat nuk i janë larguar asnjëherë.
Më datë 1 Nëntor u arrestove nga Policia në Tiranë, ndërsa mbaje me vete një pistoletë pa leje natën e Hallouinit. Sa pasion ke për armët, duke menduar që në klipet e tua ato nuk mungojnë, qoftë edhe në klipin e fundit “Lambo”. Armën e mbaje për hobi apo vetëmbrojtje?
Datën e 1 nëntorit e kisha marrë armën me vete thjesht për Hallouin (qesh). Por gjithsesi të them që armën e mbaj për vetëmbrojtje, jo nuk e mbaj për këtë arsye, sepse s’kam punë me njeri. Të them që e mbaj për t’u dukur, as kjo nuk është. Dua të sqaroj se njerëzit i shohin pak më ndryshe artistët, dhe në ditët e sotme çfarë nuk pret…
Avokati yt, Marash Ibraj, kërkoi zbutje të kësaj mase sigurie, pasi arma që t’u sekuestrua nuk ka pasur karikator, as fishekë, duke mos paraqitur asnjë rrezikshmëri. Ky fakt është pohuar dhe nga ti. E ndien vërtet për mburrje të kesh armë me vete në Tiranë?
Jo s’e ndiej për mburrje, përkundrazi arma është e rrezikshme kur e ke me vete. Sepse në një moment gabimi çdo gjë merr fund dhe realisht s’ia vlen…
Pas gati katër javësh qëndrimi në masën “arrest me burg”, provon sërish lirinë pas ndryshimit të masës “detyrim për paraqitje”. Si e përjetove izolimin?
Reflektim total kanë qenë ato ditë izolimi në burg për mua. Dua të them që burgu është njerëzor, pra për njerëzit është dhe kur të ndodh, të ndodh s’i shpëton dot. Gjithsesi, unë ia kalova shumë mirë. Edhe pse i mbyllur s’ke ku shkon pa u përshtatur, pra do, s’do, do përshtatesh. Me pak fjalë, ishte një mësim i mirë.
Si e ruajte kontaktin me realitetin dhe botën jashtë, çfarë të mungonte më shumë?
Në fakt, aty është një botë krejt ndryshe. Aty je në ajër, në kuptimin që ka dallim shumë me jetën e lirë. Nuk ke pranë njerëzit më të afërt, të mungon shtëpia, të mungon gjithçka, por s’ka rrugë tjetër vetëm duhet të kesh kurajë dhe të mos të mendosh për botën jashtë, por për të dalë që andej.
Në profilin tënd në fb, ti postove dhe një “klip” nga momenti i daljes nga Burgu 313. Mendon se kjo i shërben plotësimit të figurës sate prej jetës së një reperi?
Në fakt, unë kam sedër para se të jem reper, por jam reperi më real që ka Shqipëria. E them këtë pasi kam përjetuar shumë në jetën time, unë kam shumë për të dhënë në muzikë dhe historia ime do të vijë me karvanin pas. Nuk them se i shërben për mirë, por më besoni që s’ia vlen më të vazhdoj kështu. I falënderoj që më dhanë mundësinë për të dalë nga burgu, që unë të vazhdoj studimet e të jem afër fansave e familjes.
Tashmë hetimi ndaj teje do të vijojë teksa ti do të jesh në gjendje të lirë. Do të të kufizojë ky detyrim ligjor për të vazhduar jetën tënde artistike normalisht?
Jo s’besoj. Unë do të vazhdoj me muzikën pasi jam në krye, dhe s’do të ndaloj asnjëherë. Unë sapo jam futur në rep dhe ky është vetëm fillimi.
Në çfarë rasti do e përdorje armën që mund të kishe me vete, pra në cilin rast mund të bëheshe i rrezikshëm?
Nëse më prekej familja, vetëm në këtë rast.
Po për sa u përket vajzave, ato pas ndodhive të tilla të afrohen më shumë apo të largohen?
Më duan siç jam, pra një djalë i thjeshtë. Përkundrazi kësaj herë s’kisha faj, pasi isha në evenimentin tim. Njerëzit e dinë të vërtetën e asaj që ndodhi.
Tashmë që je i lirë, cilat janë planet e tua për muzikë. Çfarë klipi ke ndërmend të nxjerrësh, me çfarë fabule apo historie?
Kam albumin tim më të ri që po e përgatis me “Threedots production”. Jam duke punuar për pesë klipet e reja që do të nxjerr bashkë me albumin. Kam shumë projekte në muzikë, “hiroshima” po vjen…
Duke e parë nga jashtë, jeta jote duket paksa problematike, me aventura dhe ndoshta rrezik. Mund të na e përshkruash ti jetën që bën, atë çfarë ti ndien?
Unë jam djalë i llastuar në familje dhe kjo ka ndikuar pa diskutim tek unë. Kam përfituar nga ky fakt dhe e kuptoj, por gjithsesi dua të them se jetën e bëj normalisht.
Në marrëdhënie me të tjerët je më shumë egoist, apo altruist?
Do të përgjigjem në këtë mënyrë. Dashuri mendoj se kam më shumë për të tjerët sesa për veten. Ka shumë domethënie besoj, apo jo?
Tani që gjykimi do të vazhdojë në gjendje të lirë, çfarë pret nga Drejtësia?
Pres atë që meritoj, Drejtësia e ka në dorë.